Përgatiti: Kastriot Tahiri
Edhe e 2024-ta ishte vit përplot me sfida për Institucionin e Avokatit të Popullit.
Por një gjë me të cilën, Naim Qelaj u lavdërua ishte fakti se përgjatë këtij viti është trajtuar numri më i lartë i ankesave të qytetarëve për pretendimet e tyre për shkelje të drejtave të njeriut.
“Suksesin e mati me trajtimin e rasteve, sidomos me ankesat individuale të qytetarëve, të cilat kemi tentuar t’i trajtojmë në kohë sa më të shpejtë”, tha Qelaj.
Nga 1.349 ankesa, me gjithsejtë 4.469 qytetarë të përfshirë 532 raste janë hapur për hetime.
E mbi 400 ankesa të qytetarëve janë bërë në drejtim të institucioneve publike.
“419 raste ndaj gjykatave, 210 ankesa ndaj komunave, 89 ndaj policisë, 60 ankesa ndaj prokurorive, 42 ndaj ndërmarrjeve publike, natyrisht një ankesë mund të jetë për më shumë se një palë. Përkatësia etnike, kemi 149 ankesa nga shqiptarët, 101 nga komuniteti serb, 22 nga komuniteti ashkali, 20, nga komuniteti boshnjak , 17 nga komuniteti rom, 10 nga komuniteti egjiptian, 7 nga komuniteti goran dhe 13 nga të tjera”, tha zëdhënësi i Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.
Por në nivel të pakënaqshëm mbetet kthimi i përgjigjeve nga autoritetet publike në pyetjet e Avokatit të Popullit. Po ashtu, ai theksoi se votimi kundër i raportit të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës është cilësuar si cenim i pavarësisë së punës së Institucionit të Avokatit të Popullit. Por edhe mungesa e mbikëqyrjes parlamentare.
“Mbetet shqetësuese niveli i zbatimit të ligjit dhe mungesa e përgjegjësisë kur ligjet nuk zbatohen. Zbatimi i ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, ne këtë vit kemi dal me një raport të veçantë për zbatimin e këtij ligji dhe aty na del se ligji nuk është duke u zbatuar nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, është në proces të plotësim ndryshimit si ligj. Neni 6 i ligjit që flet për barazi mes gjinive nuk ka një zbatim të duhur”, tha Qelaj.
Për vitin 2024, Avokati i Popullit ka nxjerrë 172 rekomandime, prej të cilave vetëm 17 për qind janë zbatuar nga ana e institucioneve publike; rekomandime të pazbatuara janë 8%.