PËRGATITI: JETA SELMANAJ
Viktimat e dhunës seksuale në Kosovë nuk gëzojnë benefite siç ndodhë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thonë se të drejtat të cilat janë përcaktuar me ligj, nuk po realizohen në mungesë të procedurave që e sigurojnë konfidencialitetin e viktimave.
Përveç pensionit prej 230 eurosh, gratë e burrat e dhunuar gjatë luftës e kanë pothuajse të pamundur të realizojnë të drejtat e tjera të përcaktuara me ligj, për shkak të mungesës së procedurave që sigurojnë konfidencialitetin.
Sipas drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, këta persona duhet të posedojnë një ID, përmës së cilës do të identifikoheshin si viktima civile.
Në mungesë të kartelizimit, Rushiti shton se kjo kategori e viktimave të luftës nuk mund të përfitojnë shërbimeve falas pranë institucioneve apo strukturave lokale, për shkak të frikës se do të identifikohen.
Drejtoresha e QKRMT-së thotë se janë duke punuar që të krijojnë një plan avokues për të drejtat e tjera që u takojnë viktimave të dhunës seksuale.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, konsiderohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra. Por deri më tani komisioni qeveritar ia ka njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale vetëm rreth 1400 personave. Muajin e kaluar Kuvendi i Kosovës ka vazhduar deri me 15 maj 2025 afatin për aplikim për njohjen e statutit të viktimave të dhunës seksuale.