Vetëvendosja e PDK-ja ndajnë komunat në veri

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës prodhuan rezultate qysh në rundin e parë.

Në të katër komunat, fituese ishin partitë shqiptare.

Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës fituan nga dy komuna.

Mitrovica e veriut e Leposaviqi u fituan nga Vetëvendosja, ndërkaq në Zveçan e Zubin Potok, pushtetin pritet ta marrë PDK-ja.

Kësisoj, në entuziazmin e fitoreve, kryetarët e ardhshëm premtuan se punën do ta fillojnë menjëherë.

“Për të gjitha sfidat jemi të vetëdijshëm dhe të përgatitur. Siç thashë më herët, do të jem kryetar i të gjithëve, pa marrë parasysh a janë përkrahës a jo, kështu që jemi të gatshëm dhe me padurim po e presim bashkëpunimin me të gjitha komunitetet, me të gjitha lagjet e me të gjithë fshatrat”, tha kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ani pse nuk mori vota nga serbët, Atiq beson se do të mund të qeverisë si në një komunë normale.

Se do të ketë sfida në punën si kryetar, e pranon edhe i zgjedhuri i qytetarëve për ta udhëhequr Zubin Potokun. Megjithatë, Izmir Zeqiri i PDK-së ka një tjetër plan për komunën.

“Ne fillimisht nuk synojmë që t’i marrim objektet tash. Për mua është i rëndësishëm themelimi i kabinetit, por natyrisht më e rëndësishmja për mua do të jetë, sepse unë jam i hapur dhe pa dallim etnie të marrë kuadrin më të mirë të mundshëm, pra në këtë rast kisha pas dëshirë që në kabinetin tim të involvohen kryesisht serbët, pasi edhe janë shumicë”, tha Zeqiri
Një thirrje për kryetarët e zgjedhur të komunave veriore e pati edhe kryeministri Albin Kurti.

“Me këtë rast prej gjithë atyre që u zgjodhën nga dje, kërkoj që të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim etnie, prejardhje, pa dallim feje apo gjinie. Duhet të dëshmohen se ashtu siç i kanë fituar qytetar, siç e thotë Kushtetuta janë në nivel të detyre që të jenë gjithëpërfshirës duke mos diskriminuar askënd”, tha Kurti.

Zgjedhjet e së dielës në 4 komunat veriore të vendit, u zhvilluan pa incidente, derisa dalja e votuesve në zgjedhje ishte vetëm 3,47 për qind. Mosdalja e serbëve në votime, bëri që të katër komunat të fitohen nga kandidatë shqiptarë. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA