Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, po vazhdon të shkruajë historinë e tij te Mallorca, ku tashmë është kthyer në një nga lojtarët më të dashur nga tifozët për pasionin, përkushtimin dhe lidershipin që tregon në çdo ndeshje.
Me 40 gola në 127 paraqitje, Muriqi është shumë pranë një arritjeje të madhe. Legjenda Samuel Eto’o mban ende rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 70 gola në 162 ndeshje, çka do të thotë se vetëm 30 gola e ndajnë prizrenasin nga ky rekord historik.
Ky është sezoni i pestë i Muriqit në La Liga me fanellën e Mallorcës. Pas periudhës së huazimit nga Lazio në sezonin 2021/22, klubi spanjoll bleu kartonin e tij për 8 milionë euro, ndërsa së fundmi ai rinovoi kontratën deri në vitin 2029, duke treguar besnikëri të rrallë në futbollin modern.
Në një intervistë për emisionin “Jugam a Fora de Joc”, Muriqi foli hapur për periudhën e vështirë në Itali dhe vendimin për të kaluar në Spanjë:
“Kur isha te Lazio, më telefonoi Ortells dhe e refuzova ofertën. Vuajta shumë në Itali, sepse kur isha në formë të mirë fizike, Sarri nuk më kishte në planet e tij. Ortells më telefonoi sërish dhe fillova të kërkoj informacione për Mallorcën — pastaj pranova. Nuk e mora familjen me vete, sepse mendova se do të qëndroja vetëm katër muaj. Erdha për katër muaj, dhe tani jam këtu gati pesë vjet.”
Muriqi ka edhe një objektiv të madh personal:
“Dua të fitoj një trofe me Mallorcën. Pothuajse ia dolëm dy vjet më parë në Kupën e Mbretit, por La Liga është shumë e vështirë. Do të doja ta fitoja një trofe — do të ishte një ëndërr e bërë realitet.”
Sulmuesi 30-vjeçar ka treguar gjithashtu se dëshiron ta përfundojë karrierën si futbollist pikërisht në Mallorca dhe më pas të qëndrojë në qytet, duke investuar në biznese lokale. Ai mbetet edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Kosovës, me 32 gola në 64 ndeshje.
Sezoni aktual 2025/26 ka nisur mjaft mirë për të në aspektin personal: në nëntë ndeshje ka shënuar pesë gola, përfshirë rrjetat ndaj Real Madridit dhe Atletico Madridit.
Megjithatë, Mallorca po përballet me vështirësi — pas dhjetë javësh në La Liga, ka dy fitore, tri barazime dhe pesë humbje, duke u renditur në vendin e 16-të me nëntë pikë. /ATVLIVE.TV







