Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar vazot për shortin e Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Kosova vazhdon të ushqejë shpresat për pjesëmarrje në këtë Botëror. “Dardanët” do të luajnë në gjysmëfinale të play-offit evropian për kualifikim, ku më 26 mars përballen me Sllovakinë në Bratislavë. Në rast të triumfit, më 31 mars Kosova do të ndeshet me fituesin e sfidës Turqi–Rumani. Dy fitore radhazi do të siguronin kualifikimin historik të Kosovës në një Kampionat Botëror.
Nëse arrin të kualifikohet, Kosova do të vendoset në vazon e katërt për shortin, ku gjenden gjithashtu fituesit e tri play-offeve të tjera evropiane, dy fituesit ndërkontinentalë, si dhe përfaqësueset e Jordanisë, Kepit të Gjelbër, Ganës, Kuraçaos, Haitit dhe Zelandës së Re.
Përbërja e vazove të shortit
Vazo 1: Kanada, Meksikë, SHBA (si nikoqire), Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika dhe Gjermania.
Vazo 2: Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria dhe Australia.
Vazo 3: Norvegjia, Panama, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut.
Shorti i Kupës së Botës do të mbahet më 5 dhjetor në Washington, në një ceremoni madhështore ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha federatave të kualifikuara dhe atyre që janë ende në garë, përfshirë Kosovën.
Ky Botëror do të jetë i pari me 48 ekipe, të ndara në 12 grupe me nga katër ekipe. Dy të parët e çdo grupi, së bashku me tetë skuadrat më të mira të vendeve të treta, sigurojnë kualifikimin në fazën e 1/16 së finales.
Ndarja në vazo është bërë duke u bazuar në renditjen më të fundit të FIFA-s, me synimin që ekipet më të forta të mos ndeshen mes vete që në fazën e grupeve.
Kualifikimi i Kosovës, ashtu si edhe i Shqipërisë, do të ishte një arritje historike për futbollin shqiptar dhe një moment i paharrueshëm për kombëtaret tona. /ATVLIVE.TV








