Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 në pikëpyetje, KOK-u thirret në takim në Athinë

Organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 po përballet me ngecje, ndërsa shqetësimet për ecurinë e përgatitjeve pritet të diskutohen në nivel ndërkombëtar.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka konfirmuar se është ftuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare në një takim që do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Athinë të Greqisë.
Reklamë
Në këtë takim pritet të shqyrtohen problemet dhe vonesat në procesin e organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive, e cila është planifikuar të mbahet në Kosovë në vitin 2030.
Pas takimit, përfaqësuesit e KOK-ut do të raportojnë para Komitetit Organizativ për diskutimet e zhvilluara dhe hapat që duhet të ndërmerren në vazhdim.
Megjithatë, Komiteti Olimpik i Kosovës ka ritheksuar përkushtimin që Lojërat Mesdhetare të mbahen në vend, duke theksuar se realizimi i këtij projekti kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse.
Takimi në Athinë shihet si një moment i rëndësishëm për të vlerësuar gjendjen aktuale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar se si do të vazhdojë organizimi i Prishtina 2030.
Reklamë











