Kombëtarja shqiptare e vajzave ka arritur një fitore të madhe në ndeshjen e dytë të play-off-it ndaj Qipros, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3–0 në stadiumin “Air Albania” dhe duke siguruar kështu qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.
Vajzat kuq e zi e nisën ndeshjen me intensitet të lartë, ndryshe nga takimi i parë në Qipro, duke marrë kontrollin që në minutat e para.
Epërsia erdhi në minutën e 16-të, kur pas një pasimi të saktë të kapitenes Megi Doçi, Qëndresa Krasniqi realizoi golin e parë për 1–0.
Në minutën e 29-të, Doçi ishte sërish pranë golit, por tentativa e saj u ndal nga portierja mike.
Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 38-të, Mesuare Begallo dyfishoi rezultatin pas një krosi perfekt të Megi Doçit, duke dërguar Shqipërinë në pushim me avantazh 2–0.
Në pjesën e dytë, vajzat kuqezi vazhduan të dominojnë ndeshjen. Në minutën e 66-të, kapitenia Megi Doçi mori përsipër ekzekutimin e një penalltie dhe shënoi me qetësi për rezultatin final 3–0.
Pavarësisht rasteve të tjera të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, duke i dhënë Shqipërisë një fitore të merituar dhe historike.
Me këtë sukses, Shqipëria siguron qëndrimin në Ligën B dhe në edicionin e ardhshëm të UEFA Nations League do të jetë pjesë e grupeve të kësaj lige, duke forcuar pozitën e saj në futbollin europian të femrave. /ATVLIVE.TV







