Qyteti italian i Udines ndodhet sot nën masa të jashtëzakonshme sigurie për shkak të ndeshjes mes Italisë dhe Izraelit, e vlefshme për fazën “play-off” të kualifikueseve evropiane për Kupën e Botës 2026. Takimi pritet të zhvillohet në orën 20:45 në “Stadio Friuli”, përpara rreth 10 mijë tifozëve, pasi autoritetet kanë kufizuar kapacitetin për arsye sigurie.
Paralelisht me ndeshjen, në qytet është paralajmëruar një marshim pro-Palestinë, me pjesëmarrje të pritshme po aq të madhe sa numri i tifozëve në stadium. Kjo ka shtyrë Ministrinë e Brendshme italiane të ndërmarrë një plan të gjerë sigurie.
Në terren janë vendosur rreth 1000 forca sigurie – përfshirë policë, karabinierë dhe ushtarë – ndërsa situata monitorohet edhe nga helikopterë dhe dronë. Rreth stadiumit është shpallur “zonë e kuqe”, ku kontrollet janë të rrepta dhe përfshijnë përdorimin e detektorëve të metaleve dhe pajisjeve me rreze X.
Në disa pika strategjike do të vendosen snajperë, ndërsa kombëtarja izraelite po shoqërohet nga agjentë të shërbimit sekret “Mossad”.
Prefekti i Udines ka urdhëruar ndalimin e shitjes së pijeve në shishe qelqi apo kanaçe, si dhe heqjen e tavolinave, karrigeve dhe çadrave nga ambientet e jashtme të bareve dhe restoranteve pranë stadiumit.
Masat e marra synojnë të garantojnë mbarëvajtjen e një mbrëmjeje të vlerësuar me “rrezik të lartë sigurie”. /ATVLIVE.TV