Përzgjedhësi i Anglisë, gjermani Thomas Tuchel, ka vlerësuar lart paraqitjen e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit, edhe pse Anglia arriti të fitojë të dyja me rezultatin 2-0.
Pas përfundimit të takimit në Tiranë, Tuchel u shpreh se Shqipëria ka treguar cilësi të lartë dhe e sheh si një ekip me potencial për të avancuar në Botërorin 2026 përmes play-offeve që do të zhvillohen në muajin mars.
“Nuk ishte e lehtë, dhe nuk e prisnim të ishte e tillë. E dinim që do të ishte një sfidë e vështirë, pasi luajtëm në një stadium të mbushur me tifozë plot emocione. Ne luajtëm mirë, madje shkëlqyer. Shënuam dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Pas golit, ndeshja u bë më e lehtë për ne,” deklaroi Tuchel.
“Jam shumë krenar për sukseset e arritura gjatë gjithë fushatës. Të gjithë kanë punuar fort dhe jam tejet i kënaqur me rezultatet. Të dy ndeshjet me Shqipërinë ishin të vështira. Shqipëria dhe Serbia ishin kundërshtarët kryesorë në grup. Megjithatë, merita i takon lojtarëve. Skuadra ka bërë përparim të madh, por ka ende mundësi për përmirësime të tjera. E përgëzoj Shqipërinë dhe shpresoj të shihemi në Botëror. Mundësia ekziston dhe kualiteti që kanë në skuadër e bën këtë të arritshëm,” shtoi ai.
Me këto fjalë, Tuchel shprehu respektin e tij për skuadrën kuqezinj dhe dha një mesazh inkurajues, duke theksuar se Shqipëria mbetet një konkurrent i fortë për kualifikimin, pavarësisht humbjeve të fundit.







