Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar bllokadë të plotë të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Vendimi u bë publik përmes një postimi në rrjetin Truth Social, ku Trump deklaroi se qeveria e presidentit venezuelian Nicolás Maduro është shpallur organizatë e huaj terroriste.
Trump akuzoi regjimin e Maduros për vjedhje të aseteve amerikane, terrorizëm, kontrabandë droge dhe trafikim të qenieve njerëzore, duke shtuar se nafta e vjedhur përdoret për të financuar aktivitete kriminale, përfshirë vrasje dhe rrëmbime.
“Prandaj, sot po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, shkroi ai, duke theksuar se vendi është “plotësisht i rrethuar nga armada më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut”.
Deklaratat e Trump vijnë një javë pasi SHBA-të sekuestruan një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës.
Shtëpia e Bardhë tha se anija, e quajtur Skipper, ishte e përfshirë në transport të paligjshëm të naftës dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria e Venezuelës e dënoi veprimin, me presidentin Maduro që akuzoi SHBA-të për “rrëmbim të ekuipazhit” dhe “vjedhje të anijes”.






