Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar të paktën 100 miliardë dollarë (75 miliardë paund) investime nga industria e naftës për Venezuelën, por ka marrë një reagim të vakët në Shtëpinë e Bardhë, pasi një nga drejtuesit paralajmëroi se vendi i Amerikës së Jugut aktualisht është “i painvestueshëm”.
Drejtuesit e kompanive më të mëdha amerikane të naftës që morën pjesë në takim pranuan se Venezuela, e cila zotëron rezerva të mëdha energjetike, përfaqëson një mundësi joshëse.
Megjithatë, ata theksuan se do të duheshin ndryshime të mëdha për ta bërë rajonin tërheqës për investime. Asnjë angazhim i madh financiar nuk u bë menjëherë, raporton BBC, transmeton SInjali.
Trump ka deklaruar se do ta çlirojë naftën e këtij vendi të Amerikës së Jugut pasi forcat amerikane kapën liderin e tij, Nicolas Maduro, gjatë një operacioni më 3 janar në kryeqytet.
“Një nga gjërat që Shtetet e Bashkuara do të përfitojnë nga kjo do të jenë çmime edhe më të ulëta të energjisë,” tha Trump gjatë takimit të së premtes në Shtëpinë e Bardhë.
Por drejtuesit e industrisë së naftës shprehën kujdes.
Shefi ekzekutiv i Exxon-it, Darren Woods, tha: “Neve na janë sekuestruar asetet atje dy herë dhe mund ta imagjinoni se rikthimi për herë të tretë do të kërkonte disa ndryshime shumë të mëdha krahasuar me atë që kemi parë historikisht dhe me gjendjen aktuale.”
“Sot është i painvestueshëm.”
Venezuela ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar me kompanitë ndërkombëtare të naftës që nga zbulimi i naftës në territorin e saj më shumë se 100 vjet më parë.
Chevron është kompania e fundit e madhe amerikane e naftës që ende operon në këtë vend.
Edhe disa kompani nga vende të tjera, përfshirë Repsol-in e Spanjës dhe Eni-n e Italisë, të cilat ishin të përfaqësuara në takimin në Shtëpinë e Bardhë, janë aktive në Venezuelë.
Trump tha se administrata e tij do të vendosë se cilat kompani do të lejohen të operojnë.
“Ju po merreni drejtpërdrejt me ne. Nuk po merreni fare me Venezuelën. Ne nuk duam që ju të merreni me Venezuelën,” tha ai.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se po punon për të tërhequr “në mënyrë selektive” sanksionet amerikane që kanë kufizuar shitjet e naftës venezueliane.
Zyrtarët thonë se janë duke u koordinuar me autoritetet e përkohshme në vend, i cili aktualisht drejtohet nga ish-numri dy i Madurros, nënpresidentja Delcy Rodríguez.
Por ata kanë bërë të qartë gjithashtu se synojnë të ushtrojnë kontroll mbi shitjet, si një mënyrë për të ruajtur ndikimin ndaj qeverisë së Rodríguez-it.
SHBA-ja këtë javë ka sekuestruar disa cisterna nafte që transportonin naftë të sanksionuar. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se po punojnë për të ngritur një proces shitjeje, ku paratë e mbledhura do të depozitohen në llogari të kontrolluara nga SHBA-ja.
“Ne jemi të hapur për biznes,” tha Trump.






