Ekipi gjerman Basketball Löwen Braunschweig ka dalë fitues në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë, duke e mposhtur Trepçën me rezultat 84:70 (14:18, 20:14, 24:24, 26:14), në kuadër të xhiros së dytë të FIBA Europe Cup.
Pavarësisht formës jo të mirë në Bundesliga, ku nga katër ndeshje kanë po aq humbje, gjermanët mbrëmë treguan karakter dhe nuk lejuan befasi në Mitrovicë.
Xehetarët e nisën më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 18:14, falë një loje të disiplinuar në mbrojtje dhe efikasiteti në sulm.
Megjithatë, në çerekun e dytë, Braunschweig përmirësoi lojën, duke e përmbysur epërsinë dhe duke shkuar në pushim me rezultat 32:34 në favor të tyre.
Çereku i tretë ishte tejet i baraspeshuar — në fund të tij rezultati në semafor shënonte 56:58 për mysafirët.
Në dhjetë minutat e fundit, ekipi gjerman dominoi plotësisht, duke krijuar shkëputje prej 13 pikësh në minutën e 35-të (73:58) dhe duke e ruajtur avantazhin deri në fund për fitoren 84:70.
Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Trepçën në fazën e grupeve të Kupës Evropiane.
Në radhët e mitrovicasve u dalluan Adnan Arslanagiq me 18 pikë dhe Chad Brown me 16, ndërsa te skuadra gjermane spikatën Grant Sherfield me 21 pikë, Luka Scuka me 18, si dhe Barra Njie po ashtu me 18 pikë. /ATVLIVE.TV