Tre të dyshuarve për sulmin në Banjskë u është vazhduar masa e paraburgimit deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ka konfirmuar për ATV-në Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve D.M., B.S. dhe V.T., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe tre të pandehurve, ua ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 24.12.2023 deri me datë 24.02.2024”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Tre të arrestuarit, Blagoje Spasojeviq, Dusan Maksimoviq dhe Vladimir Tolicin, dyshohen për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kryerje të veprave terroriste për sulmin ndaj
Policisë, të dielën e 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit, si pasojë e të cilit kishte mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ishte plagosur zyrtari Alban Rashiti, dhe një tjetër kishte mbetur i lënduar. Ata janë në paraburgim që nga muaji shtator i këtij viti.
Sipas kërkesës së PSRK-së për caktimin e masës së paraburgimit, Vladimir Tolic dhe Blogoje Spasojevic janë të përfshirë direkt në vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku, dhe plagosjen e zyrtarit Alban Rashiti.
Sipas dosjes, i dyshuari tjetër, Dusan Maksimovic, vetëm 27 vjeç, me dashje iu ka ofruar ndihmë, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. /atvlive.tv