Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, doli sot në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes kundër Kosovës, që zhvillohet nesër në Bazel.
Ai foli për gjendjen e skuadrës së tij dhe rëndësinë e këtij takimi në kuadër të kualifikueseve. Yakin u pyet gjithashtu për përballjen me Kosovën, e cilësuar shpesh si “duel vëllazëror”.
“Atëherë flitej për një duel vëllazëror, miqësor. Por mjaft më — kjo nuk do të ndodhë më…”, tha prerazi Yakin, duke nënvizuar seriozitetin e ndeshjes.
Ai është i vetëdijshëm për numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër dhe pret që atmosfera në stadiumin e Bazelit të jetë e veçantë.
“Parashikoj që përkrahja të jetë e ndarë 50:50 mes tifozëve tanë dhe atyre nga Kosova apo Shqipëria”, shtoi ai.
Duke folur për objektivat në grup, trajneri zviceran u shpreh optimist për ndeshjet në shtëpi:
“Edhe pse grupi është i vështirë, përballjet në shtëpi ndaj Kosovës dhe Sllovenisë na japin një mundësi të mirë për të krijuar një pozicion të fortë në fillim. Këto ndeshje janë për t’u fituar.”
Kujtojmë që ndeshja Zvicër–Kosovë luhet nesër, më 20:45, në stadiumin “St. Jakob-Park” të Bazelit. /ATVLIVE.TV