Pas hedhjes së shortit në Cyrih, ku Polonia mësoi se do të përballet me Shqipërinë në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, ka ardhur edhe reagimi i përzgjedhësit polak, Jan Urban. Ai e cilësoi Shqipërinë si një kundërshtar të fortë, por theksoi se Polonia mbetet favorite në ndeshjen që do të luhet në shtëpi.
Nuk mendoj se duhet të ankohemi. Kemi short të mirë, jemi favoritë në ndeshjen e parë. Nuk mund ta fshehim këtë. Duhet ta shfrytëzojmë avantazhin e stadiumit si vendas, deklaroi Urban.
Trajneri polak shtoi se, pavarësisht se ndihen superiorë, respekti ndaj kundërshtarit është i domosdoshëm:
“Është e qartë që ne jemi favoritë, por duhet të respektojmë çdo ekip. Futbolli të surprizon – e kemi përjetuar vetë, por edhe duke parë përfaqësueset e tjera.”
Urban theksoi se vetëbesimi do të jetë një armë e rëndësishme në këtë fazë:
“Respekti është i rëndësishëm, por duhet të kemi vetëbesim. Shorti është i mirë dhe ne kthehemi me besim të plotë në rrugëtimin e play-off-it.”
Ai konfirmoi se Polonia është e fokusuar te sfida e parë, por pa e lënë pas dore përgatitjen për një finale të mundshme kundër Ukrainës ose Suedisë:
“Jemi të lumtur me shortin. Dy ndeshje në shtëpi do të ishte një fat i madh. Nëse arrijmë në finale, do të luftojmë fort për vendin në Kupën e Botës. Jemi të fokusuar tek Shqipëria, por nuk harrojmë analizën për Ukrainën dhe Suedinë.”
Sfida Poloni – Shqipëri do të luhet në mars, në një duel që pritet të jetë vendimtar në rrugën drejt Botërorit 2026.







