Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” në Prishtinë ka njoftuar se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në transferimin e mjeteve buxhetore nga institucionet qendrore, ndonëse Kuvendi Komunal ka votuar sot bartjen e buxhetit nga viti 2024.
Përmes një komunikate, ndërmarrja ka shprehur keqardhje për vështirësitë që po u shkaktohen qytetarëve, duke theksuar se pa realizimin e transferimit financiar, Trafiku Urban mbetet në pamundësi të shlyejë obligimet ndaj furnitorëve dhe të rifillojë operimin normal.
Votohet bartja e mjeteve buxhetore nga viti 2024 në 2025 në Komunën e Prishtinës
Sipas ndërmarrjes, të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, duhet të përshpejtojnë procedurat në mënyrë që shërbimi publik të rikthehet sa më shpejt.
Gjatë kësaj periudhe, protesta e paralajmëruar e punëtorëve të Trafikut Urban do të vazhdojë, derisa situata të zgjidhet.
Ndërmarrja gjithashtu ka bërë të ditur se qytetarëve do t’u kompensohen ditët e biletave mujore që nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë për shkak të ndërprerjes së shërbimit.
“Të gjitha biletat mujore të paguara do të kompensohen për ditët kur shërbimi nuk ka qenë i qasshëm”, thuhet në njoftim.







