Gazetari nga Shqipëria, Isa Myzyraj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se raportimi se Shqipëria dëshiron ta futë tradhtinë bashkëshortore në Kodin Penal, është një keqkuptim pre e të cilës kanë rënë shumë media.
Ai sqaroi se gjithçka që ka të bëjë me këtë amandamentim në Kodin Penal ka të bëjë me bigaminë.
“Me sa e kam parë edhe unë, edhe mediat në Shqipëri ka një keqkuptim sa i përket këtij ligji. Me ose pa dashje, gazetarët në media kanë thënë që do të futet në Kodin Penal tradhtia bashkëshortore, e cila nuk është e vërtetë deri në këto momente. Sipas draftit të ri i cili është duke u përgatitur, gjithçka ka lidhje me bigaminë pra me martesat e dyfishta, pra nuk ka lidhje me tradhti pasi që ajo është akt më shumë moral se sa ligjor dhe praktikisht deri diku është e pamundur për tu vërtetuar jashtë pretendimit të palëve”, tha Myzyraj.
Ai tha se amandamentimi i Kodit Penal sa i përket bigamisë ka ardhur për shkak të rasteve të shumta të këtij fenomeni në Shqipëri.
“Amandamentimi i Kodit Penal është duke ardhur në Shqipëri për shkak të rasteve të shumta. Shqipëria është tronditur javët e fundit. Ne kemi parë se si një mjek në spitalin shtetëror, mjek kirurg ishte i martuar me tre gra dhe ishte duke planifikuar të martohet me një tjetër vajzë 14-vjeç, ishte praktikisht gruaja e tij e katërt dhe nga ky ka lindur i gjithë debati, edhe institucionet kanë menduar për ta riformuluar më qartë edhe Kodin Penal”, tha Myzyraj. /atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: