Përgatiti: Haris Ademi
Të enjten nuk u sollën kontingjente me para të gatshme nga Serbia në Kosovë.
Mirëpo, në ditën kur hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për moslejim të dinarit brenda republikës, punën e vazhdoi zakonshëm institucioni që përkujdeset për importin dhe praninë e kësaj valute brenda territorit.
Objekti nuk kontrollohet prej institucioneve të Kosovës dhe vepron në kuadër të Ministrisë së Financave të Serbisë.
Neni 40 i rregullores thotë se importi i monedhave bëhet vetëm me licencë dhe autorizim të veçantë të BQK-së.
Kjo e fundit nuk ktheu përgjigje gjatë ditës, nëse ka në plan ta marrë nën kontroll kasafortën në veri.
Ndërsa, Veton Elshani nga policia rajonale në veri tha për ATV-në se nuk ka asnjë urdhër për zbatim të rregullores në këtë hapësirë.
Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se nevojitet veprim shtetëror për t’i hequr dinarët nga tregu.
“Policia e Kosovës në koordinim me forcat ndërkombëtare në Kosovës, zyrat e QUINT-it dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, duhet të veprojë duke futur fillimisht nën kontroll kasafortën me dinarët e Serbisë. Duhet të veprojë duke i larguar ato nga tregu, apo edhe duke i konfiskuar”, tha Elezi.
ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në Qeveri, mirëpo nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi thanë se nuk kanë koment për këtë çështje.