Testamenti i Gene Hackman: aktori s’ua la fëmijëve asnjë cent prej pasurisë 80 milionë dollarëshe

Testamenti i aktorit legjendar Gene Hackman është publikuar, por ende mbetet pasiguri rreth pasurisë së tij prej 80 milionë dollarësh.

Fituesi i dy çmimeve Oscar ia la gjithë pasurinë bashkëshortes së tij prej 30 vitesh, Betsy Arakawa. Por Arakawa, 65 vjeçe, u gjet e vdekur së bashku me bashkëshortin e saj në shtëpinë e tyre në New Mexico muajin e kaluar, raporton BBC.

Ekspertët ligjorë thanë se tani, meqenëse autoritetet thonë se Arakawa vdiq shtatë ditë para bashkëshortit të saj, fëmijët e Hackman-it mund ta trashëgojnë pasurinë e tij, pavarësisht se nuk janë përmendur në testament.

Tre fëmijët e tij nga martesa e tij e mëparshme me Faye Maltese – Christopher, 65 vjeç, Elizabeth, 62 vjeçe, dhe Leslie, 58 vjeçe – nuk kanë komentuar publikisht mbi këtë çështje.

Dokumentet ligjore të siguruara nga BBC tregojnë se Hackman, 95 vjeç, e kishte përmendur Arakawa si përfituesen e vetme të pasurisë së tij në vitin 1995, me përditësimin e fundit të bërë në vitin 2005.

Megjithatë, avokati nga Kalifornia, Tre Lovell, i tha BBC-së se pasuria mund të kalojë te fëmijët e tij sipas ligjeve të trashëgimisë.

“Pasuria do të shpërndahet sipas ligjeve të trashëgimisë pa testament, dhe fëmijët do të jenë ligjërisht në radhë për ta trashëguar”, tha ai.

“Ata gjithashtu do të duhet të provojnë që testamenti është i pavlefshëm, pasi Arakawa vdiq para Hackmanit”, shtoi ai.

Autoritetet thonë se Arakawa vdiq më 11 shkurt pasi u infektua me një virus të rrallë, disa ditë para se Hackman kishte vdekur nga shkaqe natyrore.

Çifti u gjet i vdekur në dhoma të ndryshme të shtëpisë së tyre 4 milionë dollarëshe në Santa Fe më 26 shkurt, pasi sigurimi i lagjes kreu një kontroll dhe i pa trupat e tyre nëpërmjet një dritareje.

Hackman ka folur më parë për marrëdhënien e tij me fëmijët.

“Si aktor, bëhesh shumë egoist”, i tha ai The New York Times në vitin 1989.

“Edhe pse kisha një familje, pranoja role që më ndanin nga ata për tre ose katër muaj. Tundimet e famës, paratë dhe njohja ishin shumë të mëdha për djaloshin e varfër brenda meje”.

Fëmijët e tij, edhe pse rrallë në vëmendjen e publikut, ndonjëherë e shoqëronin në tapetin e kuq.
Në një intervistë tjetër, Hackman foli për vështirësitë që fëmijët e tij kishin duke u rritur me një prind të famshëm.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA