Ligji për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovës, sipas kryesuesit të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, është afër finalizimit.
Andin Hoti, në Komisionin për të drejtat e njeriut, tha se termi “personat e zhdukur me forcë”, i vendosur në deklaratën për personat e zhdukur, të dakorduar në Bruksel, ka qëllim trajtimin e dinjitetshëm të tyre.
“Ligji për Personat e Zhdukur është në plotësim-ndryshim qe shumë vite, është shumë e vërtetë që është shumë e dhimbshme. Ne jemi afër finalizimit të tij, mirëpo nuk kemi arritur të gjejmë një pajtueshmëri, një dakordim për t’i involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur. Termi ‘personat e zhdukur me forcë’ nuk ka ekzistuar askund. Nuk po them që nuk e kemi ditur se çfarë është, por nuk ka ekzistuar askund. Termin ‘personat e zhdukur me forcë’ e kemi futur në deklaratën e përbashkët të Brukselit. Ky term është refuzuar prej Serbisë prej shtatorit 2021 deri në prill, kur e kemi pasur takimin e fundit, për shkak se Serbia frikësohej se përmes këtij termi ne do të kërkojmë përgjegjësi juridike dhe do të akuzojmë direkt për krimet e luftës”, tha Hoti.
Por pikërisht për termin “personat e zhdukur me forcë”, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, kërkoi sqarime nga zëvendëskryeministri i Bisnik Bislimi, i cili nuk ishte fare prezent në mbledhjen e komisionit.
“Është dashur që Besnik Bislimi të jetë në këtë tavolinë, sepse ai është personi që është i ngarkuar nga Qeveria që të bëjë pazare me Brukselin dhe me palët e tjera. Prandaj, për të gjitha ato që i ka negociuar dhe po i mban të fshehura, është dashur që të jetë sot këtu dhe të raportojë për atë çfarë ne kemi kërkuar”, tha Musliu – Shoshi.
Deklarata për personat e zhdukur ka përplasur verbalisht deputetët e PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Kollçaku-Mulhaxha – Musliu-Shoshit: Mos i përsërit fjalët 100 herë.
Kollçaku-Mulhaxha: Të lutem mos i përsërit fjalët 100 herë.
Musliu-Shoshi: E di që po ju dhemb se ju ishit kundër Besnik Bislimit.
Kollçaku-Mulhaxha: Të lutem mos na i humb kohën të gjithë këta deputetë.
Musliu-Shoshi: Kërkoj prej deputetëve të LV-së të mbajnë tensionin e ulët, të gjithë kemi të drejtë me fol në këtë kuvend, e kemi të drejtë ligjore.
Diskutimi ka shkuar edhe më tej kur Musliu-Shoshi u është drejtuar me “trushpëlarë” deputetëve të LV-së.
Kollçaku-Mullhaxha: “Kryetare e ke obligim që deputetes me ia tërheq vërejtjen. Kush është trushpëlarë këtu. Ne duhet me u ngritë prej komisionit, kur deputetja përdor ‘trushpëlarë’. Ose ta tërheqë fjalën ose ne po dalim prej komisionit”.
Më 2 maj në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan për ta miratuar një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nëpërmjet së cilës zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të të zhdukurve. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: