Një person në Mitrovicë të Jugut është shpëtuar nga Policia e Kosovës pas një tentimi për vetëvrasje, që ndodhi në orët e para të ditës së premte. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të autoriteteve, tragjedia është parandaluar në kohë. Personi është dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor dhe mbështetje të mëtejshme, njofton Policia.
“Gjatë natës së datës 31 tetor 2025, Policia në Mitrovicën e Jugut ka pranuar informacion se një person i rritur kishte hapur dritaren e banesës së tij dhe kishte tentuar të hidhej nga lartësia”, thuhet në njoftim.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, zyrtarët policorë reaguan me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke arritur ta lokalizojnë personin dhe të parandalojnë veprimin e tij. Falë ndërhyrjes së menjëhershme, një tragjedi e mundshme është shmangur. Personi është dërguar në spital për trajtim mjekësor dhe ndihmë të mëtejme”, bëhet e ditur.
Policia po ashtu falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe i inkurajon ata që të raportojnë rastet e ngjashme sa më shpejt të jetë e mundur, për të parandaluar çdo pasojë të mundshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.


 
                                     
    




