Liverpooli po kalon një periudhë të vështirë, jo vetëm për rezultatet e dobëta, por edhe për tensionet brenda skuadrës. Ylli i ekipit, Mohamed Salah, u la në stol për të gjithë 90 minutat e barazimit 3-3 ndaj Leeds United, vendim që shkaktoi debat të madh.
Kapiteni Virgil van Dijk ndërhyri dhe mbrojti kolegun e tij egjiptian, duke theksuar se Salah është një lojtar fantastik dhe meriton respekt për gjithçka që ka bërë për Liverpoolin.
“Ai është ende një lojtar fantastik dhe ka arsye pse ka qenë kaq i suksesshëm në klub. Duhet të respektohet kjo dhe kam nevojë që ai të mbetet një nga liderët e ekipit. Nuk jam i shqetësuar”, deklaroi Van Dijk.
Ai shtoi: “Është normale që ai të jetë i zhgënjyer kur nuk luan dy ndeshje radhazi. Askush nuk është i pazëvendësueshëm, dhe të gjithë duhet të performojnë”.
Ndërkohë, media britanike The Athletic kritikoi ashpër reagimin e Salahut pas ndeshjes me Leeds, duke e konsideruar atë si një veprim egoist dhe mungesë respekti. Gazeta gjithashtu vuri në dukje se dhimbja e Salahut është e kuptueshme, pasi ai kishte qenë titullar në 53 ndeshje radhazi në Premier League para se të ulej në stol për tre ndeshjet e fundit. /ATVLIVE.TV







