Ndeshja klasike mes Real Madridit dhe Barcelonës përfundoi me tone të larta në “Santiago Bernabéu”, pasi pas fishkëllimës përfundimtare shpërtheu një përleshje mes lojtarëve të të dyja skuadrave.
Sipas raportimeve të DAZN dhe mediave spanjolle, gjithçka nisi kur Dani Carvajal, kapiteni i Real Madridit, iu drejtua menjëherë Lamine Yamalit për ta qortuar lidhur me deklaratat që lojtari i Barcelonës kishte bërë para ndeshjes — deklarata që kishin ngjallur pakënaqësi te madrilenët.
Carvajal, i cili është gjithashtu bashkëlojtar me Yamal në Kombëtaren e Spanjës, këtë herë e harroi lidhjen ndërkombëtare dhe u përball drejtpërdrejt me të, duke i bërë një gjest me dorë që i kërkonte të “fliste”.
Në këtë moment ndërhynë edhe Thibaut Courtois dhe Vinicius Junior, të cilët iu bashkuan Carvajalit në konfrontim me lojtarin e Barcelonës. Ky veprim shkaktoi reagim të menjëhershëm nga disa futbollistë të Barçës, që u përpoqën të mbronin shokun e tyre të skuadrës. Situata degjeneroi në shtytje, britma dhe akuza mes të dyja palëve.
Edhe pse përplasja nuk u shndërrua në dhunë fizike, pamjet e publikuara nga DAZN tregojnë qartë momentet e tensionit, me lojtarë që tregonin me gisht dhe përpiqeshin të ndanin grupet e përfshira.
Kur situata dukej se po qetësohej, Vinicius u pa sërish duke i bërtitur nga larg Yamalit, gjë që ndezi një tjetër debat verbal. Lojtari i ri i Barcelonës iu përgjigj, duke e ftuar të afrohej, çka rriti edhe më tej tensionin.
Në përleshje u përfshinë edhe lojtarë që nuk ishin në fushë, si Rüdiger, Alaba dhe Raphinha, të cilët u përpoqën të ndanin bashkëlojtarët e tyre.
Incidenti pas ndeshjes pritet të përfshihet në raportin zyrtar të gjyqtarëve, ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) do të analizojë sjelljen e lojtarëve të përfshirë në këtë episod të nxehtë të “El Clásico”-s.
Pas ndeshjes, Frenkie de Jong: “Carvajal mund të flasë me Yamal privatisht… Por jo me lëvizje në fushë. Nëse je shok skuadre (tek Spanja) dhe e njeh, mund ta telefonosh në vend që ta bësh këtë në fushë!” /ATVLIVE.TV







