Një moment unik u shënua në Kampionatin Botëror të Veteranëve në Bol, Kroaci, ku dy nga lojtarët më të moshuar të tenisit garuan një ndeshje të paharrueshme.
Henry Young, 102 vjeç, nga Australia, dhe Arthur Lind, 97 vjeç, nga Amerika, u përballën në çerekfinalet e kategorisë mbi 90 vjeç. Në përballjen e tyre, më i riu, Lind, doli fitues me rezultat 6:1, 6:2.
Federata Ndërkombëtare e Tenisit (ITF) konfirmoi rekordet e vendosura nga kjo ndeshje përmes postimeve në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo përballje nuk ishte thjesht një sfidë sportive, por edhe një demonstrim i jashtëzakonshëm i vendosmërisë, forcës dhe pasionit për tenis.
Henry Young kishte bërë histori edhe më parë, në vitin 2023, kur u bë tenisti i parë 100-vjeçar që garoi në një turne ITF në Mallorca.
Ndeshja e tyre ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe mund të shikohet përmes videove të bashkangjitura, duke treguar se tenisi është një sport pa moshë.