Temperaturat e larta, dëmtohet asfalti në Prishtinë

PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë në Kosovë, mjetet transportuese që bartin pesha të rënda kanë deformuar asfaltin në disa rrugë të Prishtinës. Përderisa ekspertët paraqesin nevojën e përcaktimit të orarit për lëvizjen e këtyre mjeteve, Komuna e Prishtinës thotë se diçka e tillë nuk mund të realizohet.

Temperaturat e larta me të cilat po përballet vendi muajt e verës, po shkaktojnë probleme edhe në infrastrukturë.

Sipas ekspertëve të komunikacionit, temperatura mesatare e asfaltit është dyfishuar, gjë që ka krijuar mundësi të deformimit të rrugëve të asfaltuara nga mjetet e rënda transportuese.

“Ne i bëmë matjet më herët dhe e pamë që temperatura në hije po vjen 28-30 gradë, ndërsa në diell deri 52, sa i përket shkeljes së rrotave mbi asfalt nuk lejohet më shumë se 32 gradë.”

Për t’i shmangur këto dëmtime të rrugëve, eksperti Bekim Ahmeti thotë se janë dy zgjidhje.

“Mjetet e transportit duhet ta kenë një orar për qarkullim që të mos e deformojnë asfaltin kur temperaturat janë të larta… Më mirë kishte qenë që Prishtina të ketë tramvaj në lidhje me disa qytete, gjë e cila nuk po bëhet dhe shpresojmë ta mbërrijmë, sepse shinat e përballojnë temperaturën më shumë se asfalti, po ashtu kishte ndikuar edhe në komunikacion”.

Disa prej këtyre mjeteve të rënda transportuese janë të kontraktuara nga vetë komuna e Prishtinës, për kryerjen e disa projekteve infrastrukturore në kryeqytet.

“Rrugët e asfaltuara të kryeqytetit dëmtohen jo vetëm si pasojë e kualitetit të dobët, por edhe prej peshave të rënda që bartin mjetet transportuese gjatë temperaturave të larta. Situatë e tillë është në rrugën “Fehmi Lladrovci”, e cila ndër vite ka pësuar deformime të tilla”.

Komuna e Prishtinë e pranon se një gjë e tillë po ndodh, por arsyetohet se punimet në projekte infrastrukturore duhet të kryhen verës.

“Është e vërtetë që mjetet shkaktojnë dëme, por kohën e mirë duhet ta shfrytëzojmë në sa më shumë projekte”.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vala e të nxehtit do ta shoqërojë vendin deri në fund të sezonit veror.

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA