Një zjarr në një resort të njohur skijimi në pjesën veriperëndimore të Turqisë ka lënë të paktën 66 persona të vdekur dhe 51 të tjerë të plagosur, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.
“Jemi në dhimbje të thellë. Fatkeqësisht kemi humbur 66 jetë në zjarrin që shpërtheu në këtë hotel”, u tha gazetarëve Yerlikaya, pas inspektimit të vendit të ngjarjes.
Ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, tha se të paktën një nga të plagosurit ishte në gjendje të rëndë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit në restorantin e hotelit 12-katësh “Grand Kartal” në resortin “Kartalkaya”, në provincën Bolu, raportuan zyrtarët dhe mediat lokale. Shkaqet prapa zjarrit janë ende duke u hetuar.
Dy nga viktimat humbën jetën duke kërcyer nga ndërtesa në panik, tha guvernatori Abdulaziz Aydin, për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu.
Televizioni NTV raportoi se disa persona u përpoqën të zbrisnin nga dhomat e tyre duke përdorur çarçafë dhe batanije.
Në hotel ndodheshin 234 mysafirë, tha guvernatori Aydin. Ende nuk dihet asgjë për nënshtetësinë e viktimave.
Necmi Kepcetutan, një instruktor skijimi në hotel, tha se ishte në gjumë kur shpërtheu zjarri dhe doli me shpejtësi nga ndërtesa. Ai i tha televizionit NTV se më pas ndihmoi rreth 20 mysafirë të dilnin nga hoteli.
Ai tregoi se hoteli ishte mbuluar nga tymi, duke ua bërë të vështirë mysafirëve gjetjen e daljeve emergjente.
“Unë nuk mund të vë kontakt me disa nga studentët e mi. Shpresoj të jenë mirë”, tha instruktori i skijimit për televizionin.
Pamjet televizive tregonin çatinë dhe katet e sipërme të hotelit të përfshira nga zjarri. Dëshmitarët thanë se sistemi i alarmit të zjarrit në hotel nuk funksionoi.
“Gruaja ime ndjeu erën e djegies. Alarmi nuk ra”, tha Atakan Yelkovan, një mysafir në katin e tretë të hotelit, për agjencinë IHA.
“Ne u përpoqëm të ngjiteshim lart, por nuk mundëm; kishte flakë. Zbritëm poshtë dhe dolëm këtu (jashtë)”, shtoi ai.
Yelkovan tha se zjarrfikësit mbërritën pas rreth një ore.
“Njerëzit në katet e sipërme po bërtisnin. Ata po zbritnin me çarçafë… disa u përpoqën të hidheshin”, tha ai.
Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të udhëhequr hetimin mbi zjarrin. Televizioni NTV sugjeroi se fasada e jashtme prej druri mund të ketë përshpejtuar përhapjen e zjarrit.
Hoteli me 161 dhoma ndodhet buzë një shkëmbi, gjë që e bëri më të vështirë luftimin e flakëve, raportoi NTV.
Kartalkaya është një resort i njohur skijimi në malet Koroglu, rreth 300 kilometra në lindje të Stambollit. Zjarri ndodhi gjatë pushimeve mes semestrave shkollorë, kur hotelet në rajon janë të mbushura plot.
Zyra e Aydin njoftoi se 30 automjete zjarrfikëse dhe 28 ambulanca u dërguan në vendngjarje.
Hotelet e tjera në resort u evakuuan si masë paraprake dhe mysafirët u vendosën në hotele rreth Bolusë.
Ndërkohë, katër persona u lënduan nga shpërthimi i gazit në një hotel në një tjetër resort skijimi në Turqinë qendrore.
Shpërthimi ndodhi në Qendrën e Sporteve Dimërore “Yildiz Mountain” në provincën Sivas. Dy skijatorë dhe instruktori i tyre u plagosën lehtë, ndërsa një tjetër instruktor pësoi djegie të shkallës së dytë në duar dhe fytyrë, tha zyra e guvernatorit të Sivasit./REL