4.5 C
Pristina
Friday, January 23, 2026

Takimi në Bruksel, Sorensen: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve

Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, konfirmoi se gjatë ditës së djeshme është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në përputhje me deklaratën e arritur mes liderëve në maj të vitit 2023.

“Objektivi i Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të sigurojë mbyllje për familjet e tyre dhe të nxisë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”, deklaroi Sorensen.

Komisioni do të mbështesë përpjekjet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i cili udhëhiqet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Roli i tij përfshin lehtësimin e aktivitetit të palëve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shqyrtimin e progresit.

Sipas dakordimit, çdo palë – Lehtësuesi i BE-së, Kosova, Serbia apo Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq – mund t’i referojë Komisionit çështje që lidhen me zbatimin ose interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë rishikimin e Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të Grupit të Punës.

“BE-ja i kushton shumë vëmendje faktit që Komisioni i Përbashkët do të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur shumë gjatë për përgjigje”, shtoi Sorensen.

Takimi i 22 janarit në nivel kryenegociatorësh është vazhdimësi e ujdisë së arritur në dhjetor të vitit 2024 për Termat e Referencës të Komisionit. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq përfaqësojnë Kosovën dhe Serbinë, ndërsa në takimet e ardhshme, sipas paralajmërimeve, Kosovën pritet ta përfaqësojë Andin Hoti.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA