Edon Zhegrova ende nuk ka startuar nga minuta e parë me Juventusin, por ylli kosovar ka arritur të fitojë vëmendjen me paraqitjet e tij të para.
Ish-futbollisti i njohur i “Bianconerëve”, Alessio Tacchinardi, ka folur me superlativa për mesfushorin ofensiv, duke theksuar se ndër përforcimet e verës, ai pret më shumë pikërisht nga Zhegrova.
“Zhegrova ka treguar se mund të ndryshojë ekuilibrin e ndeshjes sapo të jetë në formë të plotë. Ai do të jetë një aset i rëndësishëm për trajnerin Igor Tudor. Për të fituar kampionate, ju duhen lojtarë të tillë,” ka deklaruar Tacchinardi për Tuttomercatoweb.
Duke e krahasuar me legjendat e futbollit, ish-mesfushori shtoi:
“Modrić është një lojtar i madh, por edhe Zhegrova mund të bëhet i tillë. Në kohën time kishim lojtarë punëtorë si unë, Gattuso e Ambrosini, por ndeshjet fitoheshin nga yje si Zidane dhe Del Piero. Sot nuk kemi më ata emra, por Juventusi ka talente si Yildiz, që po rritet shumë.”
Me kreativitetin, teknikën dhe instinktin e tij sulmues, Zhegrova shihet si një armë e fortë për Juventusin. Tifozët e “Zonjës së Vjetër” shpresojnë që Tudor t’i japë më shumë hapësira për të treguar potencialin e tij, ashtu siç bëri edhe gjatë kohës te Lille.