Zyrtari i Policisë së Kosovës në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë, Rexhep Sejdiu, ka vdekur në orët e para të së dielës në Jarinjë.
Ngushëllime për zyrtarin policor Rexhep Sejdiu ka shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka shkruar në Facebook se Sejdiu do të kujtohet si zyrtar i përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, “veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit”.
“Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinjë pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq. Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të”, ka shkruar ministri Sveçla.