Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar për media pas takimit që ka pasur me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Sveçla ka pohuar se me kryetarin Hetemi janë pajtuar që të punojnë për të mirën e qytetarëve.
“I dëshirova punë të mbarë, shpreha mbështetjen tonë dhe u pajtuam që të gjitha institucionet të punojnë për të mirën e qytetarëve. Përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjitha vështirësitë do t’i tejkalojmë”, tha Sveçla.
Ministri Sveçla edhe ditën e premte ka deklaruar se kryetarët e katër komunave veriore do të vazhdojnë mandatin e tyre dhe do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Gjithashtu, ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizimin e treguar.
“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihe
Ndryshe, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka hyrë sot në objektin e komunës pa ndonjë problem, gjersa situata u tha se është e qetë.
Hetemi ka hyrë në komunë rreth orës 10:00, ndërkaq i shoqëruar ishte nga Policia e Kosovës.
Ndryshe, të premten u tensionua situata në veri të vendit pasi kryetarët e rinj tentuan të hyjnë në zyrat e tyre të punës.
Pas tensionimit të situatës në veri pati edhe reagime të ndërkombëtarëve.