Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të enjten se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe sipas tij, nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.
Ai shtoi se përmes këtij organizimi në rrjetet sociale, po tentohet të nxiten tubime të panevojshme.
“Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, shkroi i pari i MPB-së në Facebook.
“Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit”, shtoi Sveçla.
Krejt në fund, ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime.
Njashtu si Sveçla, edhe Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët të shmangin këtë protestë.
Disa thirrje janë përhapur në rrjetet sociale për organizimin e një proteste masive, sot në ora 12:00 në jug të Mitrovicës. Këto thirrje u drejtohen qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë kinse për marshim në veri të vendit.
“Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend”, tha Policia e Kosovës.