Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim në çështjen penale ndaj të pandehurve Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, të dyshuar për veprën penale “shpëlarja e parave”, duke shqyrtuar ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e tyre.
Sipas vendimit të marrë në seancën e kolegjit më 30 mars 2026, Supremja ka aprovuar ankesat e mbrojtjes kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës (PN.1.S.nr.68/2026, i datës 18 mars 2026), duke e anuluar këtë aktvendim dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje në të njëjtën gjykatë.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me aktvendimin e 9 marsit 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.
Ndërsa, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 18 mars 2026, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë, duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe duke u caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Pas këtij vendimi, mbrojtësit e të pandehurve paraqitën ankesa, duke kundërshtuar ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e paraburgimit.
Gjykata Supreme vlerësoi se këto ankesa janë të bazuara, duke konstatuar se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas vlerësimit të Supremes, gjykata e shkallës së dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve.
Po ashtu, Gjykata Supreme thekson se ekzistimi i dyshimit të bazuar është kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.






