8.8 C
Pristina
Wednesday, February 4, 2026

Studimi thotë se ushqimet e përpunuara duhet të trajtohen më shumë si cigare sesa si ushqim

Ushqimet shumë të përpunuara duhet të trajtohen më shumë si duhan sesa si ushqim, thotë një studim i ri.

Sipas një raporti të publikuar në revistën shkencore “Milbank Quarterly”, ushqimet ultra të përpunuara (UPF) kanë më shumë ngjashmëri me cigaret sesa me frutat apo perimet dhe kërkojnë rregullim shumë më të rreptë, ka raportuar “The Guardian”.

Studiues nga Harvard, Universiteti i Michiganit dhe Duke kanë theksuar se këto produkte janë krijuar qëllimisht për të nxitur varësi dhe konsum të tepruar, ashtu si duhani.

Në këtë kategori përfshihen pijet e gazuara, patatinat, biskotat dhe ushqimet e paketuara industrialisht, shpesh me ngjyrues dhe aromë artificiale.

Sipas studimit, si cigaret ashtu edhe ushqimet ultra të përpunuara janë dizajnuar për të vepruar shpejt në mekanizmat në tru dhe për ta rritur dëshirën për konsum të vazhdueshëm.

“Shumë ushqime ultra të përpunuara kanë më shumë karakteristika të përbashkëta me cigaret sesa me ushqimet minimale të përpunuara dhe për këtë arsye duhet të rregullohen në përputhje me rreziqet serioze që paraqesin për shëndetin publik”, thuhet në raport.

Profesoresha, Ashley Gearhardt, psikologe klinike dhe një nga autoret e studimit, ka thënë se pacientët e saj shpesh i krahasojnë këto ushqime me varësinë nga duhani.

“Ata më thonë: ‘Ndihem i varur nga këto ushqime. Dikur pija cigare, tani e kam të njëjtin zakon me pijet e gazuara dhe ëmbëlsirat. E di që po më dëmtojnë, dua të ndalem, por nuk mundem’”, ka shpjeguar ajo.

Autorët kritikojnë edhe mënyrën e marketingut të këtyre produkteve, duke thënë se etiketime si “pa sheqer” apo “me pak yndyrë” janë forma të marketingut, të ngjashme me filtrat e cigareve në vitet ‘50, që reklamohej se mbronin shëndetin, por në praktikë nuk kishin përfitime reale.

Studiuesit theksojnë se ndryshe nga duhani, ushqimi është i domosdoshëm për jetesë, gjë që e bën edhe më të vështirë shmangien e këtyre produkteve në mjedisin modern ushqimor.

Ata sugjerojnë që masat kundër ushqimeve shumë të përpunuara të ndjekin shembullin e rregullimit të duhanit, përfshirë kufizimin e marketingut, ndërhyrjet ligjore dhe rritjen e përgjegjësisë së industrisë ushqimore.

“Duhet të kalojmë nga fajësimi i individit, duhet ta mbajmë përgjegjëse industrinë”, thuhet në studim.

Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë për krahasime të tepruara.

Profesori Martin Warren nga Quadram Institute ka thënë se mbetet e paqartë nëse ushqimet ultra të përpunuara krijojnë vërtetë varësi në mënyrë biologjike si nikotina, apo nëse ato thjesht shfrytëzojnë zakonet, shijet dhe komoditetin.

Ndërkohë, doktori Githinji Gitahi nga Amref Health Africa paralajmëron se mungesa e rregullimit shtetëror, sidomos në vendet në zhvillim, po ushtron presion të madh mbi sistemet shëndetësore.

“Pa ndërhyrje publike kundër sëmundjeve kronike, rrezikojmë kolapsin e sistemeve shëndetësore”, ka thënë ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA