Një studim i ri nuk ka gjetur lidhje në mes të marrjes së paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut që fëmija të marrë autizmin.
Gjetjet u publikuan të dielën në “British Medical Journal”, pasi presidenti amerikan Donald Trump alarmoi muaj më parë duke bërë thirrje për të mos marrë Tylenol (në Evropë njihet si paracetamol) gjatë shtatzënisë për shkak të, siç ka thënë ai, rrezikut se mund të shkaktojë autizëm te fëmijët. Trumpi nuk ofroi asnjë dëshmi shkencore.
Hulumtuesit nga Universiteti i Liverpoolit ekzaminuan nëntë studime sistematike që mbulonin rreth 40 studime mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rezultatet neurozhvillimore tek fëmijët. Përfundimi ishte se cilësia e përgjithshme e provave që mund ta lidhin paracetamolin me çrregullimet neurozhvillimore është “e ulët deri në kritikisht e ulët”.
“Kemi gjetur se bazuar në të dhënat aktuale, nuk ka asnjë lidhje në mes të marrjes së paracetamolit gjatë shtatzënisë te gratë dhe diagnozës së autizmit apo ADHD-së te fëmijët e tyre”, ka thënë profesoresha e këtij universiteti dhe udhëheqëse e studimit. “Gjetjet duhet të ndihmojnë profesionistët e kujdesit shëndetësor që t’u japin këshilla të bazuara në prova dhe t’i risigurojnë nënat lidhur me përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë nëse është e nevojshme”.
Rishikimi i këtyre studimeve ka gjetur se çdo lidhje e raportuar mund të ketë ndikuar nga faktorët gjenetikë dhe mjedisorë brenda familjeve, siç janë shëndeti mendor i prindërve ose stili i jetesës. Por studiuesit thonë se duhen më shumë studime me cilësi të lartë, për të mbështetur pretendime që mund të lidhen me paracetamolin gjatë shtatzënisë.
Në shtator, Trumpi pati alarmuar për acetaminophenin që të mos përdoret nga gratë shtatzëna, për shkak të, siç pati thënë ai, rrezikut për autizëm, pavarësisht se nuk dha asnjë provë se bari mund ta shkaktojë direkt atë. Por edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe ajo e Barnave në Evropë kanë kundërshtuar pretendimet e Trumpit. Edhe Agjencia Amerikane për Ilaçe në SHBA pati thënë se nuk janë gjetur zyrtarisht lidhje mes ilaçit dhe rrezikut për autizëm.







