Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje sot përsëri Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo gjë që mund të përshkallëzojë më tutje tensionet.
Pas takimit me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, të cilën e mirëpriti në selinë e NATO-s, Stoltenberg u bëri thirrje Kosvës dhe Serbisë që t’i rikthehen dialogut.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo gjë që mund të përshkallëzojë më tutje tensionet dhe të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është e vetmja rrugë përpara”, u shpreh Stoltenberg.
Ndryshe, tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.