Ymeri kërkon llogari nga Ministria e Bujqësisë për vonesat në pagesat e fermerëve: Pse s’janë kryer deri tash?

Fermerët po presin pagesat, ndërsa arsyet e vonesave ende nuk janë bërë të ditura. Paqartësitë për pagesat direkte të vitit 2026 e kanë shtyrë deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, t’i drejtohet zyrtarisht Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke kërkuar sqarime për vonesat dhe afatin kur pritet të realizohen ato.
Ymeri e ka cilësuar situatën si neglizhencë dhe ka paralajmëruar se, nëse nuk merr përgjigje, do ta çojë çështjen përpara përmes mekanizmave institucionalë dhe parlamentarë.
Reklamë
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ymeri ka treguar se kërkesa e saj ka ardhur pas ankesave të fermerëve lidhur me pagesat direkte, për të cilat thotë se deri më tani nuk ka marrë informata se janë realizuar. Ajo ka kërkuar nga ministria të sqarojë nëse pagesat kanë nisur, pse nuk janë kryer deri më tani dhe kur pritet të përfundojnë.
“Kjo kërkesë ka nisur prej ankesave të fermerëve për pagesat direkte, bazuar edhe në thirrjen, linkun e thirrjes që e kanë pasur në qershor 2026. Kërkesa përmban disa pyetje. Nëse kanë nisur, si tash, normal që nuk është se i kemi vetë krejt fermerët. Sipas të gjitha gjasave, s’kanë nisur, se kush deri tash s’më ka thënë që i ka pranuar, sido që të jetë. Pse s’janë kryer deri tash? Nëse kanë nisur, kur? Sa kohë pritet të shkojnë? A kanë përfunduar kontrollet nga inspektorët zyrtarë?”, ka deklaruar Ymeri.
E pyetur nëse ka informata për ndonjë pagesë të realizuar për vitin 2026, deputetja ka thënë se asnjë fermer nuk e ka njoftuar për pranimin e mjeteve, madje as pas publikimit të kërkesës në Facebook. Sipas saj, fermerët e kanë informuar se kontrollet kanë përfunduar kohë më parë.
“Asnjë që më është treguar mua, edhe pas postimit që e kam bërë. Zakonisht njerëzit, nëse kanë ndonjë reagim, komentojnë ose shkruajnë, por jo, asnjë. Veçse më kanë treguar që kontrollet kanë mbaruar që sa kohë”, ka thënë ajo.
Ymeri pret që ministria t’i përgjigjet kërkesës brenda afatit ligjor prej tetë ditësh. Në rast se nuk merr përgjigje, ajo ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), ndërsa çështjen do ta rikthejë edhe në Kuvend përmes pyetjeve parlamentare.
“Pas afatit ligjor prej tetë ditësh, nëse nuk përgjigjen, i drejtohem Agjencisë për Informim dhe Privatësi, mirëpo, nëse nuk përgjigjen, do ta kthej prapë si pyetje parlamentare në Kuvend”, ka deklaruar deputetja.
Duke folur për arsyet e mundshme të vonesave, Ymeri e ka cilësuar situatën si neglizhencë, duke ngritur shqetësime edhe për trajtimin e përgjithshëm të sektorit të bujqësisë, përfshirë çështjen e pagesave për dëmet bujqësore.
“Neglizhencë. Gjithashtu, çështja tjetër që duhet pyetur është edhe pagesa e dëmeve bujqësore, ndonëse ka qenë neglizhencë. Është ekonomi e theksuar, në mënyrë të theksuar e mbarë në raport edhe e neglizhon bujqësinë, pak a shumë edhe punon me degë prej këtij sektori”, është shprehur Ymeri.
Deputetja e LDK-së ka bërë të ditur se mosmarrja e një përgjigjeje nuk do të jetë fundi i përpjekjeve të saj për të marrë sqarime. Ajo ka përmendur disa mekanizma që mund t’i përdorë për ta ngritur çështjen në Kuvendin e Kosovës, përfshirë pyetjet parlamentare, debatet jashtë rendit të ditës dhe kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.
“Sigurisht, tjetër është pyetja parlamentare, pika ose debati jashtë radhës së ditës, edhe në fund, nëse pashmangshmërisht nuk përgjigjen, të bëj kërkesë për nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme. Domethënë, të gjitha format”, ka deklaruar ajo.
Ymeri ka kritikuar gjithashtu atë që e konsideron mungesë të vëmendjes institucionale dhe mediale ndaj bujqësisë. Sipas saj, problemet e fermerëve nuk po marrin hapësirën e duhur në debatet publike dhe në institucionet vendimmarrëse. Ajo ka përmendur edhe çështjen e grurit si një nga arsyet që e kanë shtyrë të merret më shumë me këtë sektor.
“Hiç. E shoh me grurë, çfarë ka ndodhur, prej aty edhe ka nisur të merret me bujqësi, për shkak të mënyrës se si janë trajtuar në lidhje me grurin. Por edhe çka është, çka më vjen keq, është që nuk ka shumë hapësirë mediale, por ka mungesë hapësire në reagim edhe në llogaridhënie për pjesën e bujqësisë. Është një ndër sektorët e paktë që i jemi, rrallëherë jemi, për shembull, në editorialet e lajmeve. Si seksion, nuk është se shumë po punohet, duke nisur nga Kuvendi dhe ministritë”, ka thënë Ymeri.
E pyetur nëse mbështetja buxhetore e Qeverisë për bujqësinë ka qenë e mjaftueshme, duke pasur parasysh ankesat për mungesë të buxhetit në ministritë përkatëse, Ymeri ka thënë se problemi kryesor, sipas saj, nuk qëndron te shuma e mjeteve financiare, por te mënyra se si mbështetet prodhimi vendor.
“Jo, nuk mendoj që është çështje e buxhetit, por sa po stimulohet prodhimi vendor, nuk po ndihmohet, nuk po respektohet e para e punës. Kjo mendoj që është ankesa primare, sesa buxheti”, ka deklaruar ajo.








