Deputetja e Listës Guxo. Jeta Statovci ka reaguar pas kritikave të opozitës për rrugët nacionale që kanë mbetur ende të pa përfunduara.
Ajo ka thënë se të gjitha këto projekte kanë mbetur në gjysmë nga qeveritë e kaluara janë shqyrtuar nga qeveria Kurti.
Ky është postimi i saj në Facebook:
“RRUGA E RE” QË MRAPA KODRËS, BASHKOHET ME RRUGËN E MOÇME.
Lideri që synon rrugë të re ani pse vjen nga kthinat e rrugëve të vjetra, po të ishte i vërtetë, do t’i shkonte ndërmend të thoshte pak fjalë, për vitet nga 2009 (Mitrovicë, Pejë etj) kur partnerët e tyre i nisën këto rrugë, apo nga vitet 2015 e 2016 (kur rruga e Podujevës filloi) kur prindi i tij politik i nisi ato rrugë, pa shpronësim, pa projekt, pa buxhet, si mos më keq. Por nuk thotë asgjë nga ato sepse ai është thjeshtë një fasadë që mbulon të vjetren brenda për t’u bashkuar me të moçmen, në kërkim të lumturisë me marrëveshjet ndajmë 50:50.
Qeverisja aktuale të gjitha projektet e lëna gjysmë, i rishikoi, revidoi, korrektoi e i bëri gati për ekzekutim. Rruga për Podujevë ka progres për 2 muaj më shumë se 6 vitet e tyre. Rruga e Gjilanit po përfundon ndërkohë që rrugët që lidhin Gjakovën, rruga Prizren – Prevallë, Dragash- Brod, Gjilan Kllokot po vazhdojnë me ritme të papara ndonjëherë.
Rruga Prishtinë – Pejë ka filluar ne vitin 2008 dhe më vonë në 2013 pjesa tjetër, Rruga Dollc – Gjakovë ka filluar në vitin 2018, Rruga Prishtinë – Mitrovicë ka filluar në vitin 2008 dhe dy llotet tjera në vitin 2018, Rruga Prishtinë – Podujevë ka filluar në vitin 2016 dhe tash pjesa tjetër në vitin 2023, Autostrada e Gjilanit ka filluar në vitin 2018. Kurse, për rrugën A, cka të themi tjetër, pos që mu në fillim, alarmoi dhe prokurorinë e shtetit për keqpërdorimet.
Pra, kjo siç duke është rruga e re, që të dërgon te zanati i vjetër.