Punimet në stadiumin e qytetit të Gjakovës kanë hyrë në një fazë vendimtare, duke u bërë çdo ditë e më afër realizimit të plotë të njërit prej projekteve më madhore sportive në Kosovë.
Pas përfundimit të infrastrukturës bazë, është nënshkruar kontrata për mbulesën dhe ndriçimin e stadiumit, një hap kyç që e afron objektin drejt përfundimit dhe i jep edhe më shumë entuziazëm sportdashësve gjakovarë.
Kjo fazë e investimit mbulohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka garantuar mbështetje të fortë për projektin, ndërsa Komuna e Gjakovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për ta çuar deri në fund këtë iniciativë që pritet të kthehet në një pikë referimi për sportin kosovar.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, pas nënshkrimit të kontratës, shprehu mirënjohje për ministrin Hajrulla Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar rëndësinë historike të projektit:
“Ky është një hap i madh për njërin prej projekteve më ambicioze të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë. Jam i bindur se shumë shpejt qytetarët e Gjakovës dhe të gjithë Kosovës do të shohin këtë stadium të shpaloset në të gjithë madhështinë e vet”.
Stadiumi i Gjakovës pritet të bëhet një qendër moderne sportive dhe një krenari e vërtetë për qytetin dhe të gjithë vendin.