Përgatiti: Armand Hoti
Pasaporta e Kosovës tashmë njihet zyrtarisht nga Mbretëria e Spanjës.
Në shtetin mos-njohës të pavarësisë së Kosovës, kosovarët mundë të shkojnë pa viza, kurse Spanja është e fundit nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen, që hapi dyert për kosovarët.
Por, një dokument i publikuar në uebfaqen e njërit nga departamentet e Komisionit Evropian, njofton se njohja e pasaportës së Kosovës nga ana e Spanjës, “nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”.
Pavarësisht kësaj, profesori universitar Basri Muja e vlerëson si hap pozitiv njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja.
“Nëse marrim aspektin praktik, qytetarët e Kosovës, do kenë mundësi që të lëvizin lirshëm në gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian…Nga ana simbolike e ka një rëndësi ndoshta edhe më të madhe, sepse një shtet i cili ka qenë më rixhidi sa i përket pavarësisë së Kosovës, e ka njoft pasaportën. Ne e dijmë se pasaporta e një shteti paraqet njërin prej simbole më të rëndsishme të shtetit dhe vetëm shtetet kanë pasaporta”, tha Muja.
Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, Kosova duhet që në vitin 2024 të synojë hapjen e një zyre ndërlidhëse me Spanjën, që do ndikonte pozitivisht në kontekst të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes shteteve.
“Natyrisht ndoshta njohja e dokumentave zyrtare të Kosovës nga Republika e Spanjës është një thyerje akujsh mes raporteve të Kosovës me Spanjën. Ajo çfarë duhet të bëjë Republika e Kosovës duhet të bëjë përpjekje që të kemi një zyrë ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Madrid, kjo do ishte një hap i përfaërt në rast se ndërtohet kjo zyrë atje, drejt njohjes përfundimtare nga Republika e Spanjës”, tha Sadiku.
Ndërkohë, profesori Muja, thotë se edhe koalicioni qeverisës aktual në Spanjë, paraqet një momentum të favorshëm për Kosovën.
“Unë shpresoj që në muajt në vijim do marrim lajmë të mira nga Spanja, sepse Spanja udhëhiqet nga një koalicion qeveritar i majt…dhe anëtar të koalicionit janë edhe dy parti regjionale, njëra katalonase dhe tjetra baske që kanë qëndrime miqësore ndaj Kosovës prandaj unë mendoj se ky është një indikacion i mirë”, tha Muja.
Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, të pestat këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Njohja e pasaportave nga Spanja u paraqit si arritje politike dhe si lajm u postua e u përhap nga të dy zv kryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla si dhe shumë zyrtarë të tjerë të pushtetit.
Vitin e kaluar, në cilësinë e Kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti ka qëndruar në Spanjë, ndërkombëtar të partive të majta. Kurti në Spanjë kishte shkuar nga Franca ku ishte pjesëmarrës në Forumin e Paqes në Paris.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: