Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të vendosë sot gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Ai do të shoqërohet nga ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut.
Ceremonia nis në orën 17:00 me vendosjen e gurthemelit për urën e automjeteve në pjesën veriore, për të vijuar me ecjen e përbashkët drejt lokacionit të urës për këmbësorë, pranë kopshtit “Gëzimi ynë” në jug. Urat janë pjesë e një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian, në një përgjigje për ATV-në, ka konfirmuar se është duke kryer një vlerësim teknik të urës kryesore mbi Ibër, duke theksuar se çdo vendim duhet të bazohet në të dhëna të sakta dhe në marrëveshjet e dialogut me Serbinë.
BE-ja ka paralajmëruar qeverinë që të shmangë veprimet e njëanshme në veri, përfshirë edhe ndërtimin e këtyre dy urave.