Tërheqja e një pjese të Policisë që ishin vendosur në dhe përreth katër ndërtesave komunale në veri, është hapi i parë që Kosova ndërmori, sipas dakordimit me Bashkimin Evropian, për shtensionim të situatës.
Pas veprimeve fillestare nga Qeveria, presidentja Vjosa Osmani pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese – të cilat i vendosi në fund të muajit të kaluar.
“Ne shpresojmë që BE-ja t’i tërheqë masat të cilat janë ndërmarrë ndaj Kosovës padrejtësisht dhe ne mund të vazhdojmë me më shumë suksese në dialog. Sa u përket procedurave për përgatitjen e zgjedhjeve nuk ka nevojë për shumë kohë. Ligjet e japin mundësinë për organizimin e zgjedhjeve”, tha Osmani.
Heqja e masave, sipas kryeministrit Albin Kurti, duhet të bëhet para takimit të javës së ardhshme të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi, dhe Petar Petkovic, për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.
“Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Bashkimi Evropian nuk tregoi kur ose nëse ka filluar me heqjen e masave, dhe nëse heqja e tyre do të bëhet gradualisht apo përnjëherë.
Në një reagim të mërkurën, edhe pse dakordimit për hapat fillestarë iu referua si lajm i mirë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret nga Kosova edhe hapa të mëtejmë pozitivë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: