PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Bordi i KEK-ut nuk do ta shkarkojë Nagip Krasniqin e as nuk do të shpallë konkurs të ri, pa një vendim nga organet e drejtësisë apo krijimin e rrethanave, që ata i vlerësojnë të domosdoshme. Njohës të punës së ndërmarrjeve publike, vlerësojnë se me këtë përcaktim bordi e ka pothuajse të pashmangshme shkeljen e afatit ligjor për funksionim me ushtrues detyre të kryeshefit.
Edhe pse kanë kaluar katër muaj e dhjetë ditë, qëkur Nagip Krasniqi u arrestua dhe po mbahet në paraburgim, bordi i drejtorëve i Korporatës Energjetike të Kosovës ende nuk është duke e konsideruar shkarkimin e tij dhe shpalljen e konkursit për kryeshef të ri të ndërmarrjes.
“Lidhur me këtë, me udhëzimin e Bordit të Drejtorëve ju bëjmë me dije se për këtë çështje do të vendoset pasi të ketë një vendim nga organet relevante të drejtësisë, apo pasi të krijohen rrethanat të cilat Bordi i Drejtorëve do t’i konsiderojë të domosdoshme për të sjellë një vendim meritor”.
Vendimi i 25 Prillit për suspendimin e Nagip Krasniqit dhe emërimin e Përparim Kabashit ushtrues detyre i kryeshefit, mbetet i fundit që Bordi i KEK-ut mori për këtë rast.
Referuar afateve ligjore për funksionim të ndërmarrjeve publike me ushtrues detyre të kryeshefit, drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, theksoi se bordi është dashur të shkarkojë Krasniqin dhe të hapë konkursin.
“Po flasim potencialisht për një kohë për të cilën është konsumuar ky gjashtë-mujori që ligji e lejon me qenë ushtrues detyre. Prandaj mendoj se Bordi është dashur ta shkarkojë dhe t’i hapë procedurat për zgjedhjen e një drejtori të ri. Sepse, ushtruesi i detyrës momentalisht që është, është i cunguar sa i përket kompetencave për me e udhëheqë një ndërmarrje kaq të rëndësishme publike siç është KEK-u”.
Demhasaj vlerësoi se tashmë shkelja e ligjit është praktikisht e pashmangshme.
“Nëse i shohim procedurat për me e zgjedhë drejtorin e ri të KEK-ut: hapja e konkursit, aplikimi, intervistimi, përzgjedhja e një drejtori, pastaj afati i ankesave të kandidatëve tjerë, potencialisht mund t’i marrë deri në tre muaj kohë, kështu që edhe nëse potencialisht hapet tash konkursi prapë se prapë mund të flasim për shkelje të këtij afatit gjashtë-mujor që duhet me qenë me ushtrues detyre”.
Nagip Krasniqit, i cili u arrestua më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit, i është vazhduar masa e paraburgimit deri më 20 shtator.