PËRGATITI: ARTON HAMITI
Situata në tri komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku një ditë më parë pati tensione, sot është e qetë. Në punë doli vetëm kryetari i Leposaviqit, derisa njësitë speciale vazhdojnë t’i ruajnë objektet e komunave. Gjatë ditës në veri u pa edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili nuk tregoi se edhe sa kohë Policia do t’i asistojë kryetarët e rinj.
Për dallim nga një ditë më parë situata në veri të Kosovës të shtunën ishte e qetë.
Derisa gjatë së premtes u hodhën gurë në drejtim të Policisë e pati të shtëna më armë zjarri, qytetarët serbë në Leposaviq u panë më të relaksuar.
Atyre nuk iu pengoi as prania e kryetarit të ri, ndonëse objekti i Komunës vazhdon të ruhet nga njësitë speciale.
“Edhe pse ditë e shtunë, kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi, erdhi në vendin e tij të punës.”
Gjatë qëndrimit gati dy orësh në zyre, ai e priti në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Pas takimit, Sveçla u tregua i bindur se situata e krijuar do të tejkalohet.
“I dëshirova punë të mbarë, shpreha mbështetjen tonë dhe u pajtuam që të gjitha institucionet të punojnë për të mirën e qytetarëve. Përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjitha vështirësitë do ti tejkalojmë”.
I pyetur se edhe sa kohë Policia do t’i asistojë kryetarët, ministri i Brendshëm nuk u përgjigj. Kurse, i shoqëruar nga mbrojtja e afërt, kryetari Lulzim Hetemi ndihet shumë i sigurt.
Ndërkohë, pjesëtarë të Policisë, kanë hequr edhe kamerat ilegale, të vendosura afër komunës së Leposaviqit.
Situatë e qetë ishte edhe në komunën tjetër veriore me shumicë serbe. Veçse kryetari i Zveçanit, Ilir Peci gjatë ditës nuk doli në punë. Por, pavarësisht kësaj, dikush u përkujdes që flamujt serb të vendosur para objektit të komunës, të zëvendësohen me atë Republikës së Kosovës.
Në punë nuk doli as kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqri i cila tha se është ditë pushimi. Njësitet speciale vazhdojnë ta ruajnë edhe objektin e kësaj komune, derisa situata po monitorohet edhe nga KFOR-i.
Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë u betuan më 25 maj, derisa një ditë me vonë nën tensione hynë brenda hapësirave komunale për herë të parë.