Situata e tensionuar në veri të Kosovës, e ka penguar edhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Rrjedhimisht, ZKA-ja nuk ka arritur të zhvillojë auditimin në katër komuna të banuara me shumicë serbe.
“Nga 101 entitete publike janë mbuluar 97 prej tyre. Ju njoftoj se për katër komunat veriore, komunën e Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, ne edhe pse kemi iniciuar auditimin, për shkak të rrethanave të krijuara nuk kemi mundur të zhvillojmë auditimin”, Vlora Spanca nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Andaj krahasuar me një vit më parë, Spanca shprehet e kënaqur me uljen e numrit të humbjeve të Ndërmarrjeve Publike.
“Vërehet se nga 12 organizata të analizuara, 5 prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë mbi 10 milionë euro, ndërsa 7 tjerat kanë realizuar fitim mbi 110 milionë euro, sidoqoftë krahasuar me vitin paraprak vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës, i cili nuk ka treguar elemente të rritjes së materialit”, tha Spanca.
Megjithatë, Spanca tha se ende ka punë për rregullimin thelbësor të menaxhimit financiar.
“Rezultatet tona kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar të kontrollit. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa prej atyre që janë kyçe. Në fushën e prokurimit publik, në auditimet e vitit 2022 janë identifikuar gjithsej 198 gjetje që përfshijnë kryesisht investimet kapitale dhe mallra e shërbime, si dhe janë evidente kryesisht te ministritë dhe komunat”, tha Spanca.
Sipas auditores së përgjithshme, prej 97 auditimeve, 51 iu takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale e 12 ndërmarrjeve publike, përfshirë edhe Radio Televizionin e Kosovës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: