Përgatiti: Nora Luta
Vila e sekuestruar e Milan Radojicicit buzë liqenit të Ujmanit, vazhdon të ruhet nga Policia e Kosovës.
Por, më shumë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit administrativ që i hapi rrugë Ministrisë së Punëve të Brendshme për përdorim, objekti milionësh nuk është duke u shfrytëzuar.
Ministri Xhelal Sveçla pati thënë se do të shndërrohet në stacion policor.
Megjithatë për sigurinë e vilës, po kujdeset një numër i vogël i zyrtarëve policorë, derisa burimet i thanë ATV-së se edhe kamerat e sigurisë kohët e fundit nuk kanë funksionuar.
Por, në Drejtorinë e Policisë në veri, thonë se numri i pjesëtarëve të Policisë aty është i mjaftueshëm.
Elshani nuk i përjashtoi telashet me kamerat e sigurisë, por theksoi se objekti është i sigurt.
Numri i vogël i policëve në vilë, sipas profesorit Avni Islami nuk paraqet asnjë shqetësim.
Kjo sepse sipas Islamit, Policia gjithnjë vepron në bazë të një plani operativ.
Në maj të vitit të kaluar, Gjykata e Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të pasurisë së sekuestruar të të akuzuarit kryesor për sulmin në Banjskë Milan Radojicic, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.
Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, dhënien me qira e kishte vlerësuar si një ndër format më të duhura për administrimin e tyre deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Vila milionëshe e Milan Radojicic po ruhet nga një numër i vogël i pjesëtarëve të Policisë, derisa pati telashe edhe me kamera të sigurisë. Megjithatë për Zëvendës drejtorin e policisë për rajonin e veriut, objekti është i sigurt