Shkelja e të drejtave të gazetarëve, si dhe shtimi i rasteve të sulmeve ndaj tyre janë dy prej shqetësimeve kryesore të gazetarëve.
Me rastin e shënimit të 3 majit, Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se rritja e sulmeve ndaj gazetarëve kërkon reagim urgjent nga institucionet.
“Në vitin 2022, në data-bazën e AGK-së janë regjistruar 33 raste të sulmeve të ndryshme ndaj gazetarëve dhe deri në momentin që po flasim, 11 të tilla në vitin 2023. Në fund të vitit të kaluar, mediet në gjuhën shqipe kanë hasur në vështirësi në raportimet e tyre nga veriu i Kosovës, në kohën e vendosjes së barrikadave. Së paku 6 sulme serioze kanë ndodhur ndaj ekipeve të televizioneve nga Prishtina, dhe të tjera pengesa në performimin e punës së tyre kanë ndodhur”, tha kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.
Në mesin e gazetarëve të ekspozuar, në situata ku punonjësve të mediave iu cenohej siguria, është edhe Qëndresa Bellagoshi.
“Grupi i sulmuesve ishte në pritje tonën dhe ne po i shihnim ata të bëheshin gati për të na gjuajtur me gurë”, tha Qëndresa Bellagoshi, gazetare.
Përfaqësuese të institucioneve të drejtësisë pohuan të jenë të vetëdijshëm për sfidat e gazetarëve teksa ushtrojnë detyrën e tyre.
“Ne jemi të vendosur për t’i ushtruar mjetet juridike në bazë të legjislacionit që e kemi në dispozicion dhe konsideroj që politika ndëshkimore duhet të jetë më e ashpër”, tha Jehona Grantolli, prokurore.
Një diskutim me panelistë gazetarë iu dedikua edhe pozicionit të gazetarëve brenda redaksive.
“Mendoj që për këto vite sa jam në gazetari, nuk është se ka pasur shumë ndryshime, vazhdojmë të përballemi me sfida të njëjta, me kushte të njëjta të punës”, tha Teuta Arifaj, redaktore në ATV.
“Pozicioni i gazetarit në redaksi varet i gjithi nga mediumi në të cilin punon dhe profesionistët me të cilët punon. Ka vështirësi nëpër mediume”, tha Valbona Bytyqi, gazetare.
“Ka gjetje që tregojnë për diskriminim gjinor në redaksi dhe ngacmime seksuale”, tha Dafina Halili, gazetare.
Me rastin e ditës së Lirisë së Shtypit, duke iu referuar statistikave të organizatës “Reporterët pa Kufij”, kryeministri Kurti përmendi se Kosova është përmirësuar për 22 vende, për dy vite në këtë drejtim.
Organizata Gazetarët Pa Kufij publikoi të mërkurën Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, ku Kosovën e radhiti në mesin e “vendeve problematike”, përkundër që vendi shënoi përmirësim në pozitë në krahasim me vitin e kaluar. /atvlive.tv