Përgatiti: Leart Hoxha
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, sqaroi të martën në emisionin Context, se kryeqyteti nuk ka nisur proces të ri të këmbimit të pronave.
Sipas Ramës, ka vazhduar një proces të nisur më herët me pronarët e një toke në afërsi të Liqenit të Badocit, që ishte vlerësuar nga Ministria e Financave me vlerë 8 milionë Euro. Kjo tokë kishte kushte të ndërtimit, por ndërkohë u shpall zonë e mbrojtur dhe Komuna u detyrua të këmbejë tokë me pronarët.
Sot, ATV-ja nga Komuna siguroi procesverbalet e takimeve të zyrtarëve të komunës me pronarët e tokës në Badoc.
Në këto dokumente precizohet zyrtarisht se Komuna fillimisht iu kishte ofruar tokë në zonën e Matiqanit dhe kjo ofertë ishte refuzuar.
Më pas, në një takim të tetorit 2023, pronarët e tokës në Badoc kishin kërkuar që këmbimi të bëhet me tokë në qendër të Prishtinës dhe kjo ishte refuzuar nga Komuna.
Si përfundim ishte arritur pajtimi që kompensimi të bëhet me një pjesë të një parcele 80-hektarëshe tek Prishtina e Re, jo me krejt parcelën.
Vendimi i Komunës së Prishtinës për këmbimin e tokës me pronarët Rrahman Haradini dhe Shaban Konxheli, është pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si masë sigurie, pas padisë së IKD-së ndaj Komunës së Prishtinës.
Ndërkohë, të enjten është thirrur seancë e jashtëzakonshme e Asamblesë Komunale me pikë të rendit të ditës “tërheqja e këtij vendimi për këmbim të pronave”.