Këto rrugë në kryeqytet, tash e një kohë të gjatë janë në këtë gjendje.
Por, gropat në qendër të qytetit nuk dihet se kur do të rregullohen.
Kjo pasi në komunën e Prishtinës thonë se buxhetin të cilin e kishin destinuar për rregullim e rrugëve ua mori Qeveria.
“Në 28.5 milionë euro ne kemi shumë projekte, duhet të fillojnë tash e që janë të lidhura me ndërtimin e shkollave ndërtimin e çerdheve ndërtimin e rrugëve të reja, andaj çdo vonesë në bartjen e këtyre mjeteve i vonon edhe projektet”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.
Zogaj thotë se nëse Qeveria nuk i rikthen të hyrat vetjake të kryeqytetit, përfshirë edhe ato të viteve paraprake, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Plani ynë është të shohim se cili është vendimi final dhe në qoftë se nuk shohim një vullnet që të bashkëpunojmë tutje dhe nëse nuk ndodh bartja sikurse ka ndodhur viteve të kaluara, do t’i drejtohemi gjykatës”, tha Zogaj.
Derisa nga Ministria e Financave nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje, ky dikaster javën e kaluar njoftoi se ka miratuar buxhetin e komunave me mbi 200 milionë euro më shumë.
Por, në Asociacionin e Komunave të Kosovës thonë se këto para janë të destinuara për grante të parapara nga Qeveria si shëndeti e arsimi, por jo për investime kapitale, andaj kërkojnë që komunave t’u rikthehet buxheti vetjak.
Sipas tij, Qeveria vendosi t’ua marrë buxhetin e pashpenzuar e më pas t’ua ndajë të gjitha komunave në mënyrë të barabartë. /atvlive.tv