Mbi 3 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK) iu janë nënshtruar kontrolleve mjekësore sistematike. Ndërkaq, janë kryer mbi 2 mijë e 100 kontrolle mjekësore psikologjike për rekrutët e rinj të Policisë së Kosovës. Këto shërbime janë kryer në kuadër të Marrëveshjes së bashkëpunimit mes PK-së dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për shërbime mjekësore dhe psikologjike të personelit policor dhe rekrutëve.
Në një konferencë të përbashkët për media mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës u theksua se ofrimi i shërbimeve mjekësore specialistike në kuadër të kësaj marrëveshjeje ka ndikuar në ruajtjen e mirëqenies shëndetësore për të gjithë të punësuarit e PK-së.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari tha se janë të gatshëm të ofrojnë këto shërbime edhe në vitet vijuese si dhe për të rritur nivelin e shërbimeve.
“Ajo se çfarë është më e veçantë e vitit 2024 është se për 150 për qind kemi shtim të shërbimeve shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Mbi 3 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës iu kanë nënshtruar kontrolleve sistematike. Si Shërbim Spitalor në nivel të Kosovës me të gjitha organet e sigurisë me të cilat kemi marrëveshje bashkëpunimi dhe ofrimin e këtyre shërbimeve në këtë rast edhe Policinë e Kosovës, jemi të gatshëm për të ofruar këto shërbime edhe në vitet vijuese, për të rritur edhe nivelin e shërbimeve. Përpos një memorandumi që e kemi të dakorduar ne jo rrallë herë kemi dalë jashtë këtij memorandumi për të ofruar për nevojat dhe për obligime ose detyra specifike të cilat kanë qenë kërkesa të departamentit të Policisë së Kosovës”, tha Hajdari.
Ndërkaq, drejtoresha e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Policinë e Kosovës, Lendita Kajtazi vlerësoi se kjo marrëveshje mes PK-së dhe SHKUK-së ka rezultuar e suksesshme.
“Marrëveshja e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për ofrimin e shërbimeve mjekësore, psikologjike për personelin policor dhe rekrutët vlerësojmë se ka rezultuar me rezultat jashtëzakonisht të mirë. Bazuar në natyrën e punës në ndikim, nën presion psikofizik të personelit policor për të garantuar një siguri të përgjithshme në vend, ofrimi i shërbimeve mjekësore specialiste në kuadër të QKUK-së dhe të spitaleve rajonale të SHKUK-së ka ndikuar në ruajtjen e mirëqenies shëndetësore për të gjithë të punësuarit e Policisë së Kosovës, duke ndikuar kështu në rritjen e efikasitetit, në përmbushjen e detyrave zyrtare të tyre për të ruajtur sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës”, potencoi Kajtazi.
Kajatazi potencoi se përveç kontrollimit mjekësor sistematik, janë realizuar edhe testime mjekësore periodike për të gjithë pjesëtarët e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës.
Ndër të tjera, ajo tregoi edhe numrin e pjesëtarëve që kanë marrë këto shërbime.
“Përveç kontrollimit mjekësor sistematik kemi arritur të realizojmë testime mjekësore periodike për të gjithë pjesëtarët e njësive të specializuara të Policisë së Kosovës. Në raportin përmbledhës nëntor 2023 dhe dhjetor 2024 bazuar në memorandum mirëkuptimi në fjalë kemi arritur të realizojmë 3 mijë e 78 kontrollime mjekësore sistematike. Po ashtu kemi arritur kontrollime mjekësore psikologjike për rekrutët e rinj të PK-së, 2 mijë 148. Kontrollime mjekësore psikologjike për rekrutët, minoritetet 170. Po ashtu, pjesëtarë të Departamentit të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës kanë kryer testime mjekësore psikologjike në QKUK 549. Ekzaminime mjekësore të avancuara kanë qenë të realizuara për punonjësit e Policisë ku ka pasur nevojë dhe rekomandime”, tha Kajtazi.
Ndërkaq, në kuadër të pyetjeve nga gazetarët, drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari tha se janë me prioritet të gjitha kategoritë e sistemit të sigurisë, duke shtuar se në këtë rast anashkalohen edhe listat e pritjes, raporton kp.
Hajdari: Kategoritë e sistemit të sigurisë në Kosovë, natyrisht që janë me prioritet
“Jo vetëm për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por edhe për pjesëtarët e FSK-së dhe kategoritë e tjera të sistemit të sigurisë në Kosovë, natyrisht që janë me prioritet dhe anashkalohet lista e pritjes sidomos tek rastet urgjente”, theksoi Hajdari.
Marrëveshja e bashkëpunimit mes PK-së dhe SHSKUK-së për shërbime mjekësore dhe psikologjike të personelit policor dhe rekrutëve është nënshkruar në nëntor të vitit 2023.