Shteti Bektashi dhe Ligji për Liritë Fetare

Paramendojeni një shtet të vogël mysliman ku mundesh të pish raki sa të duash, ku gratë vishen si të duan dhe ku nuk ka kufizime për stilin e jetesës. Fundja, sipas Baba Mondit, Zoti nuk na ka ndaluar asgjë, për atë na ka dhënë mendtë.

Saktësisht ky është përshkrimi që New York Timesi i jep shtetit sovran bektashi, që po planifikohet të themelohet brenda Tiranës.

Nuk po besoni? Nuk e keni lexu New York Times-in se keni qenë “busy” me budallë në tiktok?

Qe njeri:

Pra, Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë pasi flet për mikpritjen dhe solidaritetin që shqiptarët e kanë në traditën e tyre, që e kanë dëshmuar duke strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke strehuar afganët pas rënies së Kabulit, tashmë do të shtyjë përpara planin për një shtet të bektashinjve brenda Tiranës.

Sipas New York Times-it, Baba Mondi kreu i bektashinjve tashmë i ka të qarta edhe dy gjëra tjerë themelore rreth këtij shteti. E para – pasaportat do të jenë të gjelbra, jo që ka pasë ndonjë dyshim për dizajn dhe jo që pritet ndonjë telashe meqë Shqipëria e lejon dyshtetësinë.

E dyta – shteti bektashi nuk do të ketë ushtri e polici të veten, por mund të shërbim të vetin informativ ose sekret, meqë edhe ata kanë armiq sa të duash.

Shteti i urdhrit Bektashi, edhe pse do të shtrihet në një territor dukshëm më të vogël të Tiranës, në krahasim me pronat e këtij komuniteti, që ua ka marrë regjimi i Enver Hoxhës, sipas Baba Mondit, nuk do të ketë pretendime territoriale.

Sipas kumtesës së kryegjyshatës bektashiane “si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative”.

Baba Mondi, përshkruhet si ish oficer i Ushtrisë së Shqipërisë, gjë që është e mahnitshme kur dihet që ajo ushtri e ka ruajtur shtetin e vetëm në Evropë ku feja ka qenë e ndaluar komplet.

Mirëpo, që nga ajo kohë gjërat kanë lëvizur sipas NYT-së. Aeroporti i Tiranës mban emrin e Shën Nënë Terezës, vetë baba Mondi ka qenë pjesëmarrës i protestave në Paris pas sulmit ndaj Charlie Hebdo-së dhe është një nga zërat e fuqishëm kundër radikalizmit islamik dhe dhunës në baza fetare, kurse Kryeministri Edi Rama, katolik jo praktikues, pohon se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s nuk janë konsultuar për këtë plan dhe nuk e ka fort dert që Irani mund të mos e pranojë shtetin e ri të urdhrit Bektashi, meqë Shqipëria edhe ashtu ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Bektashinjtë janë urdhër që kanë histori disa qindra vjeçare dhe traditë, që fillon në lindje, por ka prani shekullore edhe në trojet shqiptare. Para 100 vjetëve, kur bektashizmi ndalohet në Turqi nga Ataturku, selia botërore vendoset në Shqipërinë e Ahmet Zogut, ku është sot e kësaj dite.

Bektashinjtë kanë prani dhe fuqi të konsiderueshme edhe brenda komunitetit mysliman në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, kurse historikisht kanë qenë pjesë e rëndësishme e të gjitha përpjekjeve kombëtare shqiptare nga fundi i shekullit XIX e këndej.

Tash, nëse është për ti besuar të dhënave të regjistrimit të popullsisë së Shqipërisë, të vitit të kaluar, në këtë shtet jetojnë 115 mijë myslimanë të urdhrit Bektashi dhe këta përbëjnë vetëm 10% të myslimanëve të deklaruar, që janë mbi 1,2 milionë, ose rreth 50% e popullatës.

Mirëpo, edhe më interesante është e dhëna se rreth 600 mijë veta në Shqipëri janë ose besimtarë të pacilësuar, ose njerëz që nuk deklarohen për besimin e tyre fare. Me 85 mijë ateistët nuk po merrem, sepse nuk hynë fort në ekuacionin për të cilin po flasim.

Para se të merremi me dilemat a do ta njeh shteti Bektashi Kosovën, a duhet të lobojmë për Republikën e Gjakovës si shtet të pavarur dhe çështje tjera të ngjashme, të sqaroj edhe diçka për fund.

Në aspektin ligjor, me këtë iniciative është kah merret një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë që po punon në definimin e statusit ligjor të shtetit të urdhrit Bektashi brenda shtetit të Shqipërisë.

Pasi këta juristë të kryejnë punën e tyre, krejt ai korpus i ligjeve duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Sa për ilustrim, në Kosovë moti e kemi nisur një projektligj për plotësim ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare.

Në projektligjin e ri për liritë fetare duhet të definohen dy gjëra.

E para: Kosova i ka 7 bashkësi fetare: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.

Qeveria e ka miratuar në janar të 2023-ës! Meqë Kuvendi në masë të madhe përbëhet nga deputetë të lodhtë dhe të paaftë të kryejnë punën e tyre, nuk e besoj që vjen në rend dite ky ligj sivjet. Tash për deputetë të lodhtë e të dëmshëm, ka ilaç. Por formalizimi i tarikateve dhe komunitetit Bektashi është premtim politik I gati të gjitha partive partive, kurse formalizimi I statusit të Kishës Ortodokse Serbe është obligim ndërkombëtar I Kosovës I ndërmarrë nga Qeveria Kurti.

Këto të dyja zor ndryshohen!

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA